Ekipi Negociator e informon Haradinajn për takimin e parë me Mogherinin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim kryesuesit e Ekipit Negociator, Shpend Ahmetin dhe Fatmir Limajn.

Shefi i ekzekutivit kosovar ka bërë të ditur, se në këtë takim është informuar për vizitën e parë të delegacionit në Bruksel.

“Takim informues nga bashkëkryesuesit e Delegacionit Shtetëror për bisedimet me Serbinë, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, për rrjedhën e vizitës në Bruksel. Delegacionin Shtetëror i përgëzova për paraqitjen e shkëlqyer të qëndrimeve të Kosovës përballë zyrtarëve të BE-së për dialogun me Serbinë”, ka shkruar Haradinaj.

Ai tutje ka thënë se Kosova po synon një marrëveshje me Serbinë, që i siguron ulëse në OKB dhe njohje nga shteti serb.

“Arritja e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse me shtetin fqinj, që do të thotë njohje reciproke ndërmjet dy shteteve, i siguron Kosovës ulësen në OKB dhe organizatat tjera ndërkombëtare. Kosova, e përkushtuar për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet, është e vendosur për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë”, përfundon postimi në facebook i Ramush Haradinajt.

Ky i fundit dje në një konferencë për media e vlerësoi takimin si hap përpara.

“Është hap përpara, por jo kush e di çka”, deklaroi dje Haradinaj. /Telegrafi/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *