Edhe një trajner tjetër, Pas Contes e refuzon Real Madridin

Pasi fillimisht u refuzua nga italiani Antonio Conte, Real Madridit e ka përjetuar po të njëjtën zhgënjim edhe nga Michael Laudrup, i cili e ka refuzuar mundësinë për t’u bërë trajner i klubit madrilen pasi që mendon se do të ishte e rrezikshme t’i menaxhonte në këtë moment “Los Blancos”.

Bordi drejtues i Real Madridit ishte takuar të hënën dhe kishin vendosur ta shkarkonin Julen Lopeteguin pas paraqitjeve dhe rezultateve të dobëta gjatë ndeshjeve të këtij sezoni, transmeton Gazeta Express.

Ata vendosën që ta emërojnë Santiago Solarin si trajner të përkohshëm, pasi që negociatat me Conten kishin ngecur. Solari ishte opsion më lehtësisht i arrirë pasi që ai ishte deri dy ditë më parë trajner i Real Madrid Castillas.

Në media flitej se Conte do të ishte zëvendësuesi i Lopeteguit, por italiani e ndryshoi mendjen pasi që nuk pajtohej me ofertën në kontratën e tij. Ai ishte i shqetësuar për gjatësinë e kësaj kontrate, si dhe nuk pajtohej me përfitimet financiare që i ishin ofruar.

Diario AS raporton se edhe Laudrup, i cili për moment nuk është trajner i asnjë klubi, e ka refuzuar ofertën e presidentit Florentino Perez. Laudrup kishte qenë lojtar i Real Madrid dhe është ende tifoz i tyre, por kjo nuk është hera e parë që flitet se ai mund të jetë trajner i madrilenëve.

Por, as ai nuk kishte qenë i bindur nga oferta e Perezit dhe beson se kjo nuk është koha e duhur që ai të marrë një përgjegjësi kaq të madhe. Agjenti i tij, Byran Tutumlu, e ka bërë të ditur qëndrimin e klientit të tij.

“Laudrup nuk është duke kërkuar një mundësi për të qenë trajner i Real Madrid, por një situatë më ideale për ta shqyrtuar këtë mundësi. Duke pasur parasysh situatën në klub, ky nuk është momenti i duhur. Ai nuk dëshiron të kthehet në klub pavarësisht rrethanave”, ka thënë Tutumlu. /Gazeta Express/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *