Ndërrmeren masa të rrepta sigurie edhe në rrjetet sociale për ndeshjen Shqipëri-Izrael

Prej ditësh forca të specializuara kanë ngritur në këmbë qytetin e Elbasanit, ku edhe do të luhej ndeshja. Banorët janë nën tension pas gjithë atij kontrolli. Kjo nuk ka mjaftuar për policinë. Ndeshja që ndodhi dy vjet më parë në stadiumin e Shkodrës ka bërë që Policia e Shtetit të marrë masa të rrepta për të garantuar ndeshjen e së premtes në stadiumin “Elbasan Arena”.

Nga burime të Policisë së Shtetit sfida Shqipëri-Izrael do të luhet nën kushte të rrepta të sigurisë, ku do të angazhohen 670 forca policore të FNSH, RENEA, Delta, njësia antieksploziv, policia kriminale e kufitare.

Ndër të tjera thuhet se struktura të specializuara po monitorojnë rrjetet sociale dhe burime të tjera të hapura, për të identifikuar individët dhe grupet që mund të bëjnë thirrje për nxitjen e fenomenit të ekstremizmit të dhunshëm apo akteve të tjera kriminale.

Monitorimi i stadiumit do të bëhet nga ajri për të pasur nënkontroll situatën. Për kontrollin e tifozëve, biletave, sendeve të forta, si dhe orientimin e mbështetësve të ekipeve, janë përcaktuar 7 pika hyrëse pranë stadiumit, të cilat do menaxhohen nga shërbimet e policisë dhe Repartet e Ndëhyrjes së Shpejtë, me qëllim identifikimin nominal të tifozëve, që do hyjnë në stadium, por edhe në rast prishjeje të rendit apo krijimit të konfuzionit nga sportdashës të ndryshëm.

Të ndaluara në mënyrë kategorike janë parullat, pankarta apo provokime që nxisin urrejtjen, fishekzjarrë e flakadanë, maska, shushe, pije alkoolike etj. Në stadium do të jetë funksional sistemi i lajmërimit të publikut, i aftë të dëgjohet edhe mbi zhurmën e turmës, brenda dhe jashtë mjedisit sportiv.

Sportdashësit duhet të paraqiten në stadium 3 orë para fillimit të ndeshjes, për të akomoduar në tribunat sipas biletave që kanë blerë, për të lehtësuar punën e Policisë së Shtetit dhe të “stjuartëve”, për kontrollin dhe hyrjen në kohë në stadium. Ndërsa  lokalet në afërsi të stadiumit, prej orës 14.00 të datës 07.09.2018, do të mbyllen.

Policia Rrugore do të mbikëqyrë trafikun rrugor në akset drejt dhe në qytetin e Elbasanit, aksin nga Tirana, si dhe shoqërimin e personaliteteve të larta shtetërore, ekipit kombëtar të Shqipërisë dhe të Izraelit. Kontrolle në këto akse rrugore do të ketë edhe me radarë për matjen e shpejtësisë, apo kontrolle për të identifikuar drejtuesit e automjeteve që konsumojnë alkool. Do bëhet bllokimi i disa segmenteve rrugore, të cilat janë bërë publike nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, ndërsa në sheshin para stadiumit, do të lejohen të parkohen vetëm automjetet e pajisura me autorizimin përkatës nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *